베드로후서 3장 Albanian Bible
Albanian Bible · 알바니아어 · 베드로후서 (2 Peter) · 18절
- 1 Shumë të dashurit, kjo është e dyta letër që po ju shkruaj; në të cilat po e mbaj zgjuar mendjen tuaj të kthjellët duke iu drejtuar kujtesës suaj,
- 2 që të mbani mend fjalët që u thanë më parë nga profetët e shenjtë dhe nga urdhërimi i vetë Zotit dhe Shpëtimtarit të transmetuar nga ne apostujt.
- 3 Së pari duhet të dini këtë, se në ditët e fundit do të vijnë disa përqeshës, të cilët do të ecin sipas dëshirave të veta,
- 4 dhe do të thonë: ''Ku është premtimi i ardhjes së tij? Sepse, që kur etërit fjetën, të gjitha gjërat mbetën në po atë gjendje si në fillim të krijimit''.
- 5 Sepse ata me dashje harruan se nëpërmjet fjalës së Perëndisë qiejt vinin në eksistencë shumë kohë më parë, dhe se toka doli nga uji dhe u sajua nëpërmjet ujit,
- 6 për shkak të të cilit bota e atëhershme u mbulua nga uji dhe humbi,
- 7 ndërsa qiejt dhe dheu i sotshëm janë ruajtur nga e njëjta fjalë për zjarrin, të rezervuar për ditën e gjyqit dhe të humbjes së njerëzve të pabesë.
- 8 Por, shumë të dashur, mos harroni këtë gjë: se për Zotin një ditë është si një mijë vjet, dhe një mijë vjet si një ditë.
- 9 Zoti nuk vonon plotësimin e premtimit të tij, siç disa besojnë që ai bën; por është i durueshëm ndaj nesh, sepse nuk do që ndokush të humbasë, por që të gjithë të vijnë në pendim.
- 10 Dhe dita e Zotit do të vijë si një vjedhës natën; atë ditë qiejt do të shkojnë me krismë, elementët do të shkrihen nga të nxehtit dhe veprat dhe toka që janë në të do të digjen krejt.
- 11 Përderisa të gjitha këto gjëra duhet të shkatërrohen, si të mos duhet të keni një sjellje të shenjtë dhe të perëndishme,
- 12 duke pritur dhe shpejtuar ardhjen e ditës së Perëndisë, për shkak të së cilës qiejt marrin flakë do të treten, dhe elementët të konsumuar nga nxehtësia do të shkrihen?
- 13 Por ne, sipas premtimit të tij, presim qiej të rinj dhe toka të re, në të cilët banon drejtësia.
- 14 Prandaj, shumë të dashur, duke i pritur këto gjëra, përpiquni të jeni përpara tij të papërlyer dhe të paqortueshëm, në paqe.
- 15 Dhe kini parasysh se durimi i Zotit tonë është në shërbim të shpëtimit, sikurse ju ka shkruar edhe vëllai ynë i dashur Pal, sipas diturisë që iu dha;
- 16 Ashtu bën ai në të gjitha letrat e tij, ku flet për këto gjëra. Në to ka disa gjëra të vështira për t'u kuptuar, të cilat të paditurit dhe të paqëndrueshmit i shtrëmbërojnë, sikurse bëjnë me Shkrimet e tjera, për përhumbjen e tyre.
- 17 Ju pra, shumë të dashur, duke i ditur këto gjëra, ruajuni se mos ligështoheni në qëndresën tuaj, të tërhequr nga gabimi i të pabesëve.
- 18 Por rrituni, në hirin dhe në njohjen e Zotit dhe të Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht. Atij i qoftë lavdia, tani dhe përjetë. Amen.
- 📚 Albanian Bible 책 목록
- 개역개정판 (1998)로
- 개역한글판 (1961)로
- 표준새번역 (1993)로
- King James Version로
- KJV 와 나란히
- 🌐 다른 언어·판
Albanian Bible — getbible.net(CrossWire SWORD 모듈)에서 가져옴 · 라이선스: 공개 도메인 (Public Domain) · 출처 ↗