로그인

민수기 25장 Albanian Bible

Albanian Bible · 알바니아어 · 민수기 (Numbers) · 18절

  1. 1 Ndërsa Izraeli ndodhej në Shitim, populli filloi të shthurret me bijat e Moabit.
  2. 2 Ato e ftuan popullin të kryejë flijime për perënditë e tyre dhe populli hëngri dhe ra përmbys përpara perëndive të tyre.
  3. 3 Kështu Izraeli u bashkua me Baal-Peorin, dhe zemërimi i Zotit u ndez kundër Izraelit.
  4. 4 Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Merr të gjithë krerët e popullit, vriti e vari para Zotit përjashta, në diell me qëllim që zemërimi i zjarrtë i Zotit të largohet nga Izraeli".
  5. 5 Kështu u foli Moisiu gjykatësve të Izraelit: "Secili nga ju të vrasë ata njerëz të tij që janë bashkuar me Baal-Peorin".
  6. 6 Dhe ja, që një nga bijtë e Izraelit erdhi dhe u paraqiti vëllezërve të tij një grua madianite, para syve të Moisiut dhe tërë asamblesë së bijve të Izraelit, ndërsa këta po qanin në hyrjen e çadrës së mbledhjes.
  7. 7 Duke parë këtë skenë, Finehasi, bir i Eleazarit, që ishte bir i priftit Aaron, u ngrit në mes të asamblesë dhe mori në dorë një shtizë,
  8. 8 ndoqi pastaj burrin e Izraelit në alkovën e tij dhe i shpoi që të dy, burrin e Izraelit dhe gruan, në pjesën e poshtme të barkut. Kështu u ndal fatkeqësia në mes të bijve të Izraelit.
  9. 9 Nga kjo fatkeqësi vdiqën njëzet e katër mijë veta.
  10. 10 Atëherë Zoti i foli Moisiut, duke i thënë:
  11. 11 "Finehasi, bir i Eleazarit, që ishte bir i priftit Aaron, e largoi zemërimin tim nga bijtë e Izraelit, sepse ai ishte i frymëzuar nga po ajo xhelozia ime; kështu në xhelozinë time nuk i kam shfarosur bijtë e Izraelit.
  12. 12 Prandaj i thuaj: "Ja, unë po lidh një aleancë paqeje me të,
  13. 13 që do të jetë për të dhe për pasardhësit pas tij besëlidhja e një priftërie të përjetshme, sepse është treguar i zellshëm për Perëndinë e tij dhe ka kryer shlyerjen e fajit për bijtë e Izraelit".
  14. 14 Burri i Izraelit, që u vra bashkë me gruan madianite, quhej Zimri, bir i Salut, i pari i një shtëpie patriarkale të Simeonitëve.
  15. 15 Dhe gruaja që u vra, Madianitja, quhej Kozbi, bijë e Tsurit, që ishte i pari i një shtëpie patriarkale në Madian.
  16. 16 Pastaj Zoti i foli Moisiut duke i thënë:
  17. 17 "Bjeruni Madianitëve dhe i sulmoni,
  18. 18 sepse ju kanë rënë më qafë me dredhitë e tyre dhe ju kanë mashtruar në rastin e Peorit dhe në atë të Kozbit, bijë e një princi të Madianit, motër e tyre, që u vra ditën e fatkeqësisë për çështjen e Peorit".

Albanian Bible — getbible.net(CrossWire SWORD 모듈)에서 가져옴 · 라이선스: 공개 도메인 (Public Domain) · 출처 ↗