민수기 12장 Albanian Bible
Albanian Bible · 알바니아어 · 민수기 (Numbers) · 16절
- 1 Miriami dhe Aaroni iu kundërvunë Moisiut me fjalë për shkak të gruas etiopase me të cilën qe martuar; në fakt ai qe martuar me një grua etiopase.
- 2 Dhe i thanë: "Mos vallë Zoti ka folur vetëm me anë të Moisiut? A nuk ka folur ai edhe nëpërmjet nesh?". Dhe Zoti dëgjoi.
- 3 (Sepse Moisiu ishte një njeri shumë zemërbutë, më tepër se kushdo mbi faqen e dheut).
- 4 Zoti u tha menjëherë Moisiut, Aaronit dhe Miriamit: "Ju të tre dilni dhe shkoni në çadrën e mbledhjes". Kështu ata të tre dolën.
- 5 Atëherë Zoti zbriti në një kolonë reje, u ndal në hyrjen e çadrës dhe thirri Aaronin dhe Miriamin; që të dy i erdhën përpara.
- 6 Pastaj Zoti tha: "Dëgjoni tani fjalët e mia! Në se ka një profet midis jush, unë, Zoti i bëhem i njohur atij në vegim, flas me të në ëndërr.
- 7 Por nuk veproj kështu me shërbëtorin tim Moisi, që është besnik në tërë shtëpinë time.
- 8 Me të unë flas sy për sy, duke bërë që ai të më shohë, dhe jo me shprehje të errëta; dhe ai sodit dukjen e Zotit. Pse nuk keni pasur frikë të flisni kundër shërbëtorit tim, kundër Moisiut?".
- 9 Kështu zemërimi i Zotit u ndez kundër tyre, pastaj ai u largua.
- 10 Kur reja u tërhoq nga pjesa e sipërme e çadrës, Miriami ishte bërë lebroze e bardhë si bora; Aaroni e shikoi Miriamin, dhe ja, ajo ishte lebroze.
- 11 Aaroni i tha Moisiut: "O zoti im, mos na ngarko me fajin që kemi kryer nga budallallëku dhe mëkatin që kemi bërë.
- 12 Mos lejo që ajo të jetë si një e vdekur, mishi i së cilës është gjysmë i konsumuar kur del nga barku i nënës së saj!".
- 13 Kështu Moisiu i thirri Zotit, duke i thënë: "Shëroje, o Perëndi, të lutem!".
- 14 Atëherë Zoti iu përgjegj Moisiut: "Po ta kishte pështyrë i ati në fytyrë, nuk do të ishte ndofta e turpëruar shtatë ditë? Izolojeni, pra, jashtë kampit shtatë ditë; pastaj pranojeni përsëri".
- 15 Miriamin e izoluan jashtë kampit për shtatë ditë; dhe populli nuk e filloi marshimin e tij deri sa Miriami të ripranohej në kamp.
- 16 Pastaj populli u nis nga Hatserothi dhe ngriti kampin e tij në Paran.
- 📚 Albanian Bible 책 목록
- 개역개정판 (1998)로
- 개역한글판 (1961)로
- 표준새번역 (1993)로
- King James Version로
- KJV 와 나란히
- 🌐 다른 언어·판
Albanian Bible — getbible.net(CrossWire SWORD 모듈)에서 가져옴 · 라이선스: 공개 도메인 (Public Domain) · 출처 ↗