말라기 3장 Albanian Bible
Albanian Bible · 알바니아어 · 말라기 (Malachi) · 18절
- 1 "Ja, unë po dërgoj lajmëtarin tim për të përgatitur rrugën para meje. Dhe menjëherë Zoti, që ju kërkoni, do të hyjë në tempullin e vet, engjëlli i besëlidhjes që ju kërkoni me endje, ja, do të vijë", thotë Zoti i ushtrive.
- 2 "Po kush do të mund të durojë ditën e ardhjes së tij? Kush do të mund të qëndrojë më këmbë ditën kur ai do të shfaqet? Ai është si zjarri i shkrirësit, si soda e larësve.
- 3 Ai do të ulet si ai që shkrin dhe pastron argjendin; do t'i pastrojë bijtë e Levit dhe do t'i rafinojë si arin e argjendin, me qëllim që ata të mund t'i ofrojnë Zotit një blatim me drejtësi.
- 4 Atëherë oferta e Judës dhe e Jeruzalemit do të pëlqehet nga Zoti, si në kohët e shkuara, si në vitet e mëparshme.
- 5 Kështu unë do t'ju afrohem për gjykim dhe do të jem një dëshmitar i gatshëm kundër magjistarëve, kundër shkelësve të kurorës, kundër atyre që bëjnë betime të rreme, kundër atyre që vjedhin mëditjen e punëtorit, që shtypin të venë dhe jetimin, që dëbojnë të huajin dhe nuk më kanë frikë", thotë Zoti i ushtrive.
- 6 "Unë jam Zoti, nuk ndryshoj; prandaj ju, o bij të Jakobit, nuk jeni konsumuar.
- 7 Që në ditët e etërve tuaj ju jeni larguar nga statutet e mia dhe nuk i keni respektuar. Kthehuni tek unë dhe unë do të kthehem tek ju", thotë Zoti i ushtrive. "Por ju thoni: "Si duhet të kthehemi?".
- 8 Një njeri do të vjedhë Perëndinë? Megjithatë ju më vidhni dhe pastaj thoni: "Çfarë të kemi vjedhur?". Të dhjetën dhe ofertat.
- 9 Mallkimi ju ka qëlluar, sepse më vidhni, po, mbarë kombi.
- 10 Sillni gjithë të dhjetat në shtëpinë e thesarit, që të ketë ushqim në shtëpinë time dhe pastaj më vini në provë për këtë gjë", thotë Zoti i ushtrive, "në se unë nuk do t'i hap pragjet e qiellit dhe nuk do të derdh mbi ju aq shumë bekim, sa nuk do të keni vend të mjaftueshëm ku ta shtini.
- 11 Përveç kësaj do të qortoj shumë për ju gllabëruesin, me qëllim që ai të mos shkatërrojë më frytin e tokës suaj, dhe vreshti juaj nuk do të rreshtë të sjellë për ju fryt në fushë", thotë Zoti i ushtrive.
- 12 "Të gjitha kombet do t'ju shpallin të lumtur, sepse ju do të jeni një vend kënaqësish", thotë Zoti i ushtrive.
- 13 "Keni përdorur fjalë të ashpra kundër meje", thotë Zoti. "Megjithatë thoni: "Çfarë kemi thënë kundër teje?".
- 14 Keni thënë: "Éshtë e kotë t'i shërbesh Perëndisë; ç'përfitim kemi nga respektimi i urdhërimeve të tij dhe nga vajtja para Zotit të ushtrive të veshur me rroba zie?
- 15 Prandaj ne i shpallim të lumtur krenarët. Ata që kryejnë paudhësi jo vetëm përfitojnë, por ndonëse e provokojnë Perëndinë, mbeten të pandëshkuar"".
- 16 Atëherë ata që kishin frikë nga Zoti i folën njëri tjetrit. Zoti i dëgjoi me vemendje dhe një libër kujtimi u shkrua përpara tij për ata që kanë frikë nga Zoti dhe që e nderojnë emrin e tij.
- 17 "Ata do të jenë të mitë", thotë Zoti i ushtrive, "ditën kur unë përgatis thesarin tim të veçantë, dhe unë do t'i fal, ashtu si e fal njeriu birin që i shërben atij.
- 18 Atëherë do të shikoni përsëri ndryshimin ndërmjet të drejtit dhe të pabesit, ndërmjet atij që i shërben Perëndisë dhe atij që nuk i shërben atij".
- 📚 Albanian Bible 책 목록
- 개역개정판 (1998)로
- 개역한글판 (1961)로
- 표준새번역 (1993)로
- King James Version로
- KJV 와 나란히
- 🌐 다른 언어·판
Albanian Bible — getbible.net(CrossWire SWORD 모듈)에서 가져옴 · 라이선스: 공개 도메인 (Public Domain) · 출처 ↗