마태복음 8장 Albanian Bible
Albanian Bible · 알바니아어 · 마태복음 (Matthew) · 34절
- 1 Tani kur Jezusi zbriti nga mali, turma të mëdha e ndiqnin.
- 2 Dhe ja, një lebroz erdhi dhe e adhuroi, duke thënë: ''O Zot, po të duash, ti mund të më shërosh''.
- 3 Jezusi e shtriu dorën, e preku dhe i tha: ''Po, unë dua, shërohu''. Dhe në atë çast u shërua nga lebra e tij.
- 4 Atëherë Jezusi i tha: ''Ruhu se ia tregon kujt; por shko, paraqitu te prifti, bëj flijimin që ka urdhëruar Moisiu, me qëllim që kjo të jetë dëshmi për ta''.
- 5 Kur Jezusi hyri në Kapernaum i erdhi një centurion duke iu lutur,
- 6 dhe duke thënë: ''O Zot, shërbëtori im rri shtrirë në shtëpi i paralizuar dhe po vuan shumë''.
- 7 Dhe Jezusi i tha: ''Do të vij dhe do ta shëroj''.
- 8 Centurioni duke u përgjigjur i tha: ''Zot, unë nuk jam i denjë që ti të hysh nën strehën time; por thuaj vetëm një fjalë dhe shërbëtori im do të shërohet.
- 9 Sepse unë jam një njeri nën urdhërin e të tjerëve, dhe i kam ushtarët nën vete; dhe, po t'i them dikujt: "Shko", ai shkon; dhe po t'i them një tjetri: "Eja", ai vjen; dhe po t'i them shërbëtorit tim: "Bëje këtë", ai e bën''.
- 10 Dhe Jezusi, kur i dëgjoi këto gjëra, u mrekullua dhe u tha atyre që e ndiqnin: ''Në të vërtetë po ju them, se askund në Izrael nuk e gjeta një besim aq të madh.
- 11 Unë po ju them se shumë do të vijnë nga lindja dhe nga perëndimi dhe do të ulen në tryezë me Abrahamin, me Isaakun dhe me Jakobin, në mbretërinë e qiejve,
- 12 por bijtë e mbretërisë do të flaken në errësirat e jashtme. Atje do të jetë e qara dhe kërcëllimi dhëmbëve''.
- 13 Dhe Jezusi i tha centurionit: ''Shko dhe u bëftë ashtu si besove!''. Dhe shërbëtori i tij u shërua që në atë çast.
- 14 Pastaj Jezusi hyri në shtëpinë e Pjetrit dhe pa që e vjehrra ishte në shtrat me ethe.
- 15 Dhe ai ia preku dorën dhe ethet e lanë; dhe ajo u ngrit dhe nisi t'u shërbejë.
- 16 Dhe kur u ngrys, i sollën shumë të pushtuar nga demonë; dhe ai, me fjalë, i dëboi frymërat dhe i shëroi të gjithë të sëmurët,
- 17 që kështu të përmbushej fjala e profetit Isaia kur tha: ''Ai i mori lëngatat tona dhe i mbarti sëmundjet tona''.
- 18 Tani Jezusi, duke parë rreth tij turma të mëdha, urdhëroi që të kalonin në bregun tjetër.
- 19 Atëherë një skrib iu afrua dhe i tha: ''Mësues, unë do të ndjek kudo që të shkosh''.
- 20 Dhe Jezusi i tha: ''Dhelprat i kanë strofkat, dhe zogjtë e qiellit i kanë çerdhet, por Biri i njeriut nuk ka as ku të mbështetë kokën''.
- 21 Pastaj një tjetër nga dishepujt e tij i tha: ''O Zot, më jep më parë leje të shkoj të varros atin tim''.
- 22 Por Jezusi i tha: Më ndiq, dhe lëri të vdekurit të varrosin të vdekurit e vet''.
- 23 Dhe mbasi ai hipi në barkë, dishepujt e tij e ndiqnin.
- 24 Dhe ja, që u ngrit në det një stuhi aq e madhe, sa valët po e mbulonin barkën, por ai flinte.
- 25 Dhe dishepujt e tij iu afruan dhe e zgjuan duke i thënë: ''O Zot, na shpëto, ne po mbarojmë!''
- 26 Por ai u tha atyre: ''Pse keni frikë, o njerëz besimpakë?''. Dhe, pasi u ngrit, qortoi erërat dhe detin, dhe u bë bunacë e madhe.
- 27 Atëherë njërëzit u mrekulluan dhe thoshnin: ''Kush është ky, të cilit po i binden deti dhe erërat?''.
- 28 Dhe kur arriti në bregun tjetër, në krahinën e Gergesenasve, i dolën para dy të demonizuar, që kishin dalë nga varret, dhe ishin aq të tërbuar sa që askush nuk mund të kalonte në atë udhë.
- 29 Dhe ja, ata filluan të bërtasin duke thënë: ''Ç'është mes nesh dhe ty, Jezus, Biri i Perëndisë? Mos ke ardhur këtu të na mundosh para kohe?''.
- 30 Jo larg tyre një tufë e madhe derrash po kulloste.
- 31 Dhe demonët iu lutën duke i thënë: ''Në qoftë se na dëbon, na lejo të shkojmë në atë tufë derrash''.
- 32 Dhe ai u tha atyre: ''Shkoni!''. Kështu ata, pasi dolën, hynë në atë tufë derrash; dhe ja, gjithë ajo tufë u hodh nga gremina në det, dhe u mbyt në ujë.
- 33 Dhe ata që i kullotnin ikën dhe, kur shkuan në qytet, i treguan të gjitha këto gjëra, duke përfshirë ngjarjen e të demonizuarve.
- 34 Dhe ja, gjithë qyteti i doli para Jezusit; dhe, kur e panë, iu lutën që të largohej prej vendit të tyre.
- 📚 Albanian Bible 책 목록
- 개역개정판 (1998)로
- 개역한글판 (1961)로
- 표준새번역 (1993)로
- King James Version로
- KJV 와 나란히
- 🌐 다른 언어·판
Albanian Bible — getbible.net(CrossWire SWORD 모듈)에서 가져옴 · 라이선스: 공개 도메인 (Public Domain) · 출처 ↗