마태복음 25장 Albanian Bible
Albanian Bible · 알바니아어 · 마태복음 (Matthew) · 46절
- 1 ''Atëherë mbretëria e qiejve do t'u ngjajë dhjetë virgjëreshave, të cilat i morën llampat e tyre, dhe i dolën para dhëndrit.
- 2 Tani pesë nga ato ishin të mençura dhe pesë budallaçka.
- 3 Budallaçkat, kur morën llampat e tyre, nuk morën me vet vajin;
- 4 kurse të mençurat, bashkë me llampat, morën edhe vajin në enët e tyre.
- 5 Tani, duke qenë se dhëndri po vononte, dremitën të gjitha dhe i zuri gjumi.
- 6 Aty nga mesnata u dëgjua një britmë: "Ja, po vjen dhëndri, i dilni para!".
- 7 Atëherë të gjitha ato virgjëreshat u zgjuan dhe përgatitën llampat e tyre.
- 8 Dhe budallaçkat u thanë të mençurave: "Na jepni nga vaji juaj, sepse llampat tona po na fiken".
- 9 Por të mençurat duke u përgjigjur thanë: "Jo, sepse nuk do të mjaftonte as për ne e as për ju; më mirë shkoni te tregtarët dhe e blini".
- 10 Tani kur ato shkuan ta blejnë, erdhi dhëndri; virgjëreshat që ishin gati, hynë bashkë me të në dasmë; dhe dera u mbyll.
- 11 Më pas erdhën edhe virgjëreshat e tjera, duke thënë: "Zot, zot, hapna".
- 12 Por ai, duke u përgjigjur, tha: "Në të vërtetë po ju them se nuk ju njoh".
- 13 Prandaj rrini zgjuar, sepse nuk e dini as ditën as orën në të cilët do të vijë Biri i njeriut''.
- 14 ''Mbretëria e qiejve i ngjan gjithashtu një njeriu, që, kur po nisej për një udhëtim, i thirri shërbëtorët e tij dhe u besoi pasuritë e veta.
- 15 Njërit i dha pesë talenta, tjetrit dy dhe një tjetri një; secilit sipas zotësisë së tij; dhe u nis fill.
- 16 Tani ai që kishte marrë të pesë talentat shkoi, dhe bëri tregti me to dhe fitoi pesë të tjerë.
- 17 Po ashtu edhe ai që kishte marrë dy talenta fitoi edhe dy të tjerë.
- 18 Por kurse ai që kishte marrë një, shkoi, hapi një gropë në dhe dhe e fshehu denarin e zotit të vet.
- 19 Tani mbas një kohe të gjatë, u kthye zoti i atyre shërbëtorëve dhe i bëri llogaritë me ta.
- 20 Dhe ai që kishte marrë të pesë talentat doli përpara dhe i paraqiti pesë të tjerë, duke thënë: "Zot, ti më besove pesë talenta; ja, me ato unë fitova pesë talenta të tjerë".
- 21 Dhe i zoti i tha: "Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik; ti u tregove besnik në gjëra të vogla, unë do të të vë mbi shumë gjëra; hyr në gëzimin e zotit tënd".
- 22 Pastaj erdhi edhe ai që kishte marrë të dy talenta dhe tha: "Zot, ti më besove dy talenta; ja, me ato unë fitova dy talenta të tjerë".
- 23 Dhe zoti i tij i tha: "Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik; ti u tregove besnik në gjëra të vogla; unë do të të vë mbi shumë gjëra; hyr në gëzimin e zotit tënd".
- 24 Në fund erdhi edhe ai që kishte marrë vetëm një talent dhe tha: "Zot, unë e dija se je njeri i ashpër, që korr atje ku nuk ke mbjellë dhe vjel ku nuk ke shpërndarë,
- 25 prandaj pata frikë dhe shkova dhe e fsheha talentin tënd nën tokë; ja, unë po ta kthej".
- 26 Dhe i zoti duke i përgjigjur i tha: "Shërbëtor i mbrapshtë dhe përtac, ti e dije se unë korr atje ku nuk kam mbjellë dhe vjel aty ku nuk kam shpërndarë;
- 27 Ti duhet t'ia kishe besuar denarin tim bankierëve dhe kështu, në kthimin tim, do ta kisha marrë me interes.
- 28 Prandaj ia hiqni këtij talentin dhe ia jepni atij që ka dhjetë talenta.
- 29 Sepse atij që ka do t'i jepet edhe më e do të ketë me bollëk të madh, por atij që nuk ka, do t'i merret edhe ajo që ka.
- 30 Dhe flakeni në errësirën e jashtme këtë shërbëtor të pavlefshëm. Atje do të jetë e qara dhe kërcëllim dhëmbësh"''.
- 31 ''Dhe kur të vijë Biri i njeriut në lavdinë e tij, bashkë me të gjithë engjëjt e shenjtë, atëherë do të ulet mbi fronin e lavdisë së vet.
- 32 Dhe të gjithë kombet do të mblidhen para tij; dhe ai do ta ndajë njërin nga tjetri ashtu si i ndan bariu delet nga cjeptë.
- 33 Dhe delet do t'i vërë në të djathtën e tij dhe cjeptë në të majtën.
- 34 Atëherë Mbreti do t'u thotë atyre që do të jenë në të djathtën e tij: "Ejani, të bekuar të Atit tim; merrni në trashëgim mbretërinë që u bë gati për ju që nga krijimi i botës.
- 35 Sepse pata uri dhe më dhatë për të ngrënë, pata etje dhe më dhatë për të pirë; isha i huaj dhe më pritët,
- 36 isha i zhveshur dhe më veshët, isha i sëmurë dhe ju më vizitonit, isha në burg dhe erdhët tek unë".
- 37 Atëherë të drejtët do t'i përgjigjen duke thënë: "Zot, kur të pamë të uritur dhe të dhamë për të ngrënë; ose të etur dhe të dhamë për të pirë?
- 38 Dhe kur të pamë të huaj dhe të pritëm ose të zhveshur dhe të veshëm?
- 39 Dhe kur të pamë të lënguar ose në burg dhe erdhëm te ti?".
- 40 Dhe Mbreti duke iu përgjigjur do t'u thotë: "Në të vërt etë po ju them: sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, këtë ma bëtë mua.
- 41 Pastaj ai do t'u thotë edhe atyre që do të jenë në të majtë: "Largohuni nga unë, të mallkuar, në zjarr të përjetshëm, të përgatitur për djallin dhe engjëjt e tij.
- 42 Sepse pata uri dhe nuk më dhatë për të ngrënë, pata etje dhe nuk më dhatë për të pirë,
- 43 isha i huaj dhe nuk më pritët, i zhveshur dhe nuk më veshët, i sëmurë dhe në burg dhe nuk erdhët të më shihni".
- 44 Atëherë edhe ata do t'i përgjigjen duke thënë: "Zot, kur të pamë të uritur ose të etur, ose të huaj, ose të zhveshur, ose të lëngatë ose në burg dhe nuk të shërbyem?".
- 45 Atëherë ai do t'u përgjigjet atyre duke thënë: "Në të vërtetë ju them: sa herë nuk ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre më të vegjëlve, këtë nuk ma bëtë as edhe mua".
- 46 Dhe ata do të shkojnë në mundim të përjetshëm, dhe të drejtët në jetën e përjetshme''.
- 📚 Albanian Bible 책 목록
- 개역개정판 (1998)로
- 개역한글판 (1961)로
- 표준새번역 (1993)로
- King James Version로
- KJV 와 나란히
- 🌐 다른 언어·판
Albanian Bible — getbible.net(CrossWire SWORD 모듈)에서 가져옴 · 라이선스: 공개 도메인 (Public Domain) · 출처 ↗