마태복음 19장 Albanian Bible
Albanian Bible · 알바니아어 · 마태복음 (Matthew) · 30절
- 1 Mbasi Jezusi i mbaroi këto ligjërata, u nis nga Galilea dhe erdhi në krahinën e Judesë, përtej Jordanit.
- 2 Turma të mëdha e ndiqnin dhe ai i shëroi atje.
- 3 Atëherë iu afruan disa farisenj për ta provokuar dhe i thanë: ''A është e lejueshme që burri ta ndajë gruan për një shkak çfarëdo?''.
- 4 Dhe ai, duke u përgjigjur u tha atyre: ''A nuk keni lexuar ju, se ai që i krijoi që në fillim, i krijoi mashkull dhe femër?
- 5 Dhe tha: "Për këtë arsye njeriu do ta lërë babanë dhe nënën e vet dhe do të bashkohet me gruan e vet; dhe të dy do të jenë një mish i vetëm".
- 6 Dhe kështu ata nuk janë më dy, por një mish i vetëm; prandaj atë që Perëndia ka bashkuar, njeriu të mos e ndajë''.
- 7 Ata i thanë: ''Atëherë përse Moisiu urdhëroi të jepet letërndarja dhe të lëshohet?''.
- 8 Ai u tha atyre: ''Moisiu ju lejoi t'i ndani gratë tuaja për shkak të ngurtësisë së zemrave tuaja, por në fillim nuk ka qenë kështu.
- 9 Por unë ju them se kushdo që e lëshon gruan e vet, përveç rastit të kurvërisë, dhe martohet me një tjetër, shkel kurorën; edhe ai që martohet me gruan e ndarë, shkel kurorën''.
- 10 Dishepujt e vet i thanë: ''Në qoftë se kushtet e burrit ndaj gruas janë të tilla, më mirë të mos martohet''.
- 11 Por ai u tha atyre: ''Jo të gjithë i kuptojnë këto fjalë, por atyre që iu është dhënë.
- 12 Sepse ka eunukë që kanë lindur të tillë nga barku i nënës; ka eunukë që janë bërë eunukë nga njerëzit, dhe ka eunukë që janë bërë vet eunukë për mbretërinë e qiejve. Ai që mund ta kuptojë, le ta kuptojë''.
- 13 Atëherë i sollën fëmijë të vegjël që të vinte duart mbi ata dhe të lutej, por dishepujt i qortuan.
- 14 Por Jezusi tha: ''I lini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë, sepse atyre u përket mbretëria e qiejve''.
- 15 Dhe, mbasi vuri duart mbi ata, u nis që andej.
- 16 Dhe ja, iu afrua dikush dhe i tha: ''Mësues i mirë, çfarë të mire duhet të bëj që të kem jetë të përjetshme?''.
- 17 Dhe ai tha: ''Pse më quan të mirë? Askush nuk është i mirë, përveç një të vetmi: Perëndia. Tani në qoftë se ti don të hysh në jetë, zbato urdhërimet''.
- 18 Ai i tha: ''Cilat?''. Atëherë Jezusi i tha: ''Mos vraj, mos shkel kurorën, mos vidh, mos bëj dëshmi të rreme,
- 19 ndero atin tënd dhe nënën tënde dhe duaje të afërmin tënd si veten tënde''.
- 20 I riu i tha: ''Të gjitha këto gjëra unë i kam zbatuar që në rini; çfarë më mungon tjetër?''.
- 21 Jezusi i tha: ''Në qoftë se do të jesh i përsosur, shko, shit ç'të kesh, jepua të varfërve dhe ti do të kesh një thesar në qiell; pastaj eja dhe më ndiq mua''.
- 22 Por i riu, kur i dëgjoi këto fjalë, iku i trishtuar, sepse kishte pasuri të madhe.
- 23 Atëherë Jezusi u tha dishepujve të vet: ''Në të vërtetë ju them se një i pasur me vështirësi do të hyjë në mbretërinë e qiejve.
- 24 Dhe po jua përsëris: Éshtë më lehtë të kalojë deveja nga vrima e gjilpërës, se sa i pasuri të hyjë në mbretërinë e Perëndisë''.
- 25 Kur i dëgjuan këto fjalë, dishepujt e vet u habitën shumë dhe thanë: ''Atëherë, kush do të shpëtojë vallë?''.
- 26 Dhe Jezusi duke përqëndruar shikimin mbi ata tha: ''Për njerëzit kjo është e pamundur, por për Perëndinë çdo gjë është e mundur''.
- 27 Atëherë Pjetri iu përgjigj duke thënë: ''Ja, ne i lamë të gjitha dhe të ndoqëm; çfarë do të fitojmë, pra?''.
- 28 Jezusi u tha atyre: ''Në të vërtetë po ju them, në krijimin e ri, kur Biri i njeriut të ulet në fronin e lavdisë së vet, edhe ju që më keni ndjekur do të uleni mbi dymbëdhjetë frone për të gjykuar të dymbëdhjetë fiset e Izraelit.
- 29 Dhe kushdo që ka lënë, për hir të emrit tim, shtëpi, vëllezër, motra, atë, nënë, grua, bij ose ara, do të marrë njëqindfish dhe do të trashëgojë jetë të përjetshme.
- 30 Por shumë të parë do të jenë të fundit, dhe shumë të fundit do të jenë të parët''.
- 📚 Albanian Bible 책 목록
- 개역개정판 (1998)로
- 개역한글판 (1961)로
- 표준새번역 (1993)로
- King James Version로
- KJV 와 나란히
- 🌐 다른 언어·판
Albanian Bible — getbible.net(CrossWire SWORD 모듈)에서 가져옴 · 라이선스: 공개 도메인 (Public Domain) · 출처 ↗