레위기 24장 Albanian Bible
Albanian Bible · 알바니아어 · 레위기 (Leviticus) · 23절
- 1 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:
- 2 "Urdhëro bijtë e Izraelit të të sjellin vaj të pastër ullinjsh të shtypur për dritën e shandanit, për t'i mbajtur llambat vazhdimisht të ndezura.
- 3 Në çadrën e mbledhjes, jashtë velit që është përpara dëshmisë, Aaroni do të kujdeset për vazhdimësinë nga mbrëmja deri në mëngjes para Zotit. Éshtë një ligj i përjetshëm për të gjithë brezat tuaj.
- 4 Ai do të kujdeset për llambat e shandanit prej floriri të pastër që janë para Zotit, për vazhdimësinë.
- 5 Do të marrësh majë mielli dhe me të do të pjekësh dymbëdhjetë kulaç; çdo kulaç do të jetë dy të dhjetat e efës.
- 6 Do t'i vendosësh në dy radhë, gjashtë në çdo radhë, mbi tryezën prej ari të pastër, përpara Zotit.
- 7 Dhe në çdo radhë do të vësh temjan të pastër, i cili ka për të qenë një kujtim mbi bukën, si një flijim i bërë me zjarr për Zotin.
- 8 Çdo të shtunë ai do t'i vendosë bukët përpara Zotit, në vazhdimësi; ato do të merren nga bijtë e Izraelit; kjo është një besëlidhje e përjetshme.
- 9 Bukët i përkasin Aaronit dhe bijve të tij, dhe këta do t'i hanë në një vend të shenjtë, sepse do të jenë një gjë shumë e shenjtë për atë midis flijimeve të bëra me zjarr para Zotit. Éshtë një ligj i përjetshëm".
- 10 Ndërkaq biri i një gruaje izraelite dhe i një egjiptasi doli në mes të bijve të Izraelit; dhe ndërmjet djalit të gruas izraelite dhe një izraeliti plasi një grindje.
- 11 Biri i izraelites blasfemoi emrin e Zotit dhe e mallkoi atë; kështu e çuan te Moisiu. (Nëna e tij quhej Shelomith, ishte e bija e Dibrit, nga fisi i Danve).
- 12 E futën në burg, deri sa t'u tregohej vullneti i Zotit.
- 13 Dhe Zoti i foli Moisiut, duke i thënë:
- 14 "Çoje atë blasfemues jashtë kampit; të gjithë ata që e kanë dëgjuar të vënë duart e tyre mbi kokën e tij dhe gjithë asambleja ta vrasë me gurë.
- 15 Pastaj folu bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: "Kushdo që mallkon Perëndinë e tij, do të mbajë fajin e mëkatit të tij.
- 16 Dhe kushdo që e shan emrin e Zotit do të dënohet me vdekje; tërë asambleja do ta vrasë me gurë. I huaj apo i lindur në vend, ai që blasfemon emrin e Zotit do të dënohet me vdekje.
- 17 Kush ia heq jetën një njeriu, do të vritet.
- 18 Kush rreh për vdekje një kafshë, do ta paguajë: jetë për jetë.
- 19 Kur dikush i shkakton një dëmtim fqinjit të tij, ai do të pësojë po atë që i ka bërë tjetrit;
- 20 thyerje për thyerje, sy për sy, dhëmb për dhëmb; ai do të pësojë po atë gjymtim që u ka shkaktuar të tjerëve.
- 21 Kush rreh për vdekje një kafshë, do ta paguajë; por ai që ia heq jetën një njeriu do të vritet.
- 22 Do të keni të njëjtin ligj për të huajin dhe për atë që ka lindur në vend; sepse unë jam Zoti, Perëndia juaj".
- 23 Pastaj Moisiu u foli bijve të Izraelit, të cilët e çuan jashtë kampit atë blasfemues dhe e vranë me gurë. Kështu bijtë e Izraelit vepruan ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.
- 📚 Albanian Bible 책 목록
- 개역개정판 (1998)로
- 개역한글판 (1961)로
- 표준새번역 (1993)로
- King James Version로
- KJV 와 나란히
- 🌐 다른 언어·판
Albanian Bible — getbible.net(CrossWire SWORD 모듈)에서 가져옴 · 라이선스: 공개 도메인 (Public Domain) · 출처 ↗