데살로니가전서 2장 Albanian Bible
Albanian Bible · 알바니아어 · 데살로니가전서 (1 Thessalonians) · 20절
- 1 Sepse ju vetë, vëllezër, e dini se ardhja jonë ndër ju nuk qe e kotë.
- 2 Por, mbasi hoqëm më parë dhe mbasi na shanë në Filipi, sikurse e dini, ne morëm guxim në Perëndinë tonë të shpallim ndër ju ungjillin e Perëndisë midis kaq përpjekjesh.
- 3 Sepse nxitja jonë nuk vjen nga mashtrimi, as nga qëllime të pa ndershme, as nga dredhia;
- 4 por, duke qenë se u miratuam prej Perëndisë që të na besohet ungjilli, kështu ne flasim jo që t'u pëlqejmë njerëzve, por Perëndisë, që provon zemrat tona.
- 5 Ne, pra, nuk kemi përdorur kurrë, sikurse e dini mirë, fjalë lajkatuese, dhe as nuk jemi nisur nga motive lakmie; Perëndia është dëshmitar.
- 6 Dhe nuk kemi kërkuar lavdi prej njerëzve, as prej jush, as prej të tjerësh, megjithëse mund t'ju bëheshim barrë si apostuj të Krishtit.
- 7 Përkundrazi qemë zemërbutë midis jush, ashtu si mëndesha që rrit me dashuri fëmijët e saj.
- 8 Kështu, duke pasur një dashuri të madhe ndaj jush, ishim të kënaqur duke ju komunikuar jo vetëm ungjillin e Perëndisë, por edhe vetë jetën tonë, sepse na u bëtë të dashur.
- 9 Sepse ju, o vëllezër, e mbani mend lodhjen dhe mundimin tonë: si kemi punuar ditë e natë që të mos i bëhemi barrë asnjërit prej jush, dhe predikuam ungjillin e Perëndisë ndër ju.
- 10 Ju jeni dëshmitarë, dhe Perëndia gjithashtu, si jemi sjellë me shenjtëri, me drejtësi, pa të meta, me ju që besoni.
- 11 Ju e dini gjithashtu se ne këshilluam, ngushëlluam dhe i jemi përbetuar secilit prej jush, si bën një baba me bijtë e vet,
- 12 që të ecni denjësisht për Perëndinë, që ju thërret në mbretërinë dhe lavdinë e tij.
- 13 Prandaj edhe ne e falenderojmë pa pushim Perëndinë, se kur ju keni marrë nga ne fjalën e Perëndisë, e pritët atë jo si fjalë njerëzish, por, sikurse është me të vërtetë, si fjalë Perëndie, që vepron ndër ju që besoni.
- 14 Sepse ju, o vëllezër, u bëtë imituesit e kishave të Perëndisë që janë në Jude në Jezu Krishtin, sepse edhe ju keni vuajtur nga ana e bashkëkombasve tuaj të njëjtat gjëra, sikurse edhe ata kanë vuajtur nga Judenjtë,
- 15 të cilët e vranë Zotin Jezus dhe profetët e tyre, dhe na përndoqën edhe ne. Ata nuk i pëlqen Perëndia, dhe janë armiq me të gjithë njerëzit,
- 16 duke na penguar që t'u flasim johebrenjve që ata të shpëtohen, për ta mbushur vazhdimisht masën e mëkateve të tyre; por zemërimi arriti mbi ta më në fund.
- 17 Dhe ne, o vëllezër, mbasi mbetëm pa ju për një kohë të shkurtër, trupërisht por jo me zemër, u përpoqëm edhe më shumë, nga malli i madh, të shohim përsëri fytyrën tuaj.
- 18 Prandaj deshëm, të paktën unë Pali, të vijmë te ju jo një, por dy herë, por Satani na pengoi.
- 19 Cila në fakt është shpresa jonë, a gëzimi, a kurora e lavdisë? A nuk jeni pikërisht ju, përpara Zotit tonë Jezu Krisht në ardhjen e tij?
- 20 Ju jeni në fakt lavdia dhe gëzimi jonë.
- 📚 Albanian Bible 책 목록
- 개역개정판 (1998)로
- 개역한글판 (1961)로
- 표준새번역 (1993)로
- King James Version로
- KJV 와 나란히
- 🌐 다른 언어·판
Albanian Bible — getbible.net(CrossWire SWORD 모듈)에서 가져옴 · 라이선스: 공개 도메인 (Public Domain) · 출처 ↗