누가복음 21장 Albanian Bible
Albanian Bible · 알바니아어 · 누가복음 (Luke) · 38절
- 1 Pastaj Jezusi i çoi sytë dhe pa pasanikët që qitnin dhuratat e tyre në arkën e thesarit,
- 2 dhe pa edhe një të ve të varfër që qiti dy pare të vogla
- 3 dhe tha: ''Në të vërtetë po ju them se kjo e ve e varfër ka qitur më shumë se gjithë të tjerët.
- 4 Sepse të gjithë këta dhanë nga tepricat e pasurisë së tyre për shtëpinë e Perëndisë, kurse ajo, në varfërinë e vet, dha gjithçka që kishte për të jetuar''.
- 5 Pastaj, kur disa po flisnin për tempullin dhe vinin në pah se ishte i stolisur me gurë të bukur dhe me oferta, ai tha:
- 6 ''Nga të gjitha këto gjëra që ju admironi, do të vijnë ditët kur nuk do të mbetet gur mbi gur pa u rrënuar''.
- 7 Atëherë ata e pyetën duke thënë: ''Mësues, kur do të ndodhin këto dhe cila do të jetë shenja se këto janë duke u kryer?''.
- 8 Dhe ai tha: ''Ruhuni se mos ju mashtrojnë, sepse shumë veta do të vijnë në emrin tim duke thënë: "Unë jam", dhe: "Erdhi koha". Mos shkoni, pra, pas tyre.
- 9 Dhe kur të dëgjoni të flitet për luftëra e për trazira, mos u trembni, sepse të gjitha këto duhet të ndodhin më parë, por mbarimi nuk do të vijë menjëherë''.
- 10 Atëherë u tha atyre: ''Do të ngrihet kombi kundër kombit; dhe mbretëria kundër mbretërisë;
- 11 do të ngjajnë tërmete të mëdha, zi buke dhe murtaja në vende të ndryshme; do të ndodhin edhe dukuri të llahtarshme dhe shenja të mëdha nga qielli.
- 12 Por, para të gjitha këtyre gjërave, do të vënë dorë mbi ju dhe do t'ju përndjekin dhe do t'ju dorëzojnë në sinagoga e do t'ju futin në burg; dhe do t'ju nxjerrin përpara mbretërve dhe guvernatorëve për shkak të emrit tim,
- 13 por kjo do t'ju japë rastin që të dëshmoni.
- 14 Ta vini, pra, në zemrën tuaj që të mos mendoni më parë se si do përgjigjeni për t'u mbrojtur,
- 15 sepse unë do t'ju jap një gojë e një dituri të tillë të cilën të gjithë kundërshtarët tuaj nuk do të jenë në gjendje ta kundërshtojnë ose t'i rezistojnë.
- 16 Dhe ju madje do t'ju tradhtojnë edhe prindërit, dhe vëllezërit, dhe farefisi dhe miqtë; dhe disa prej jush do t'i vrasin.
- 17 Dhe të gjithë do t'ju urrejnë për shkak të emrit tim.
- 18 Por as edhe një fije floku e kokës suaj nuk do t'ju humbasë.
- 19 Me durimin tuaj ju do t'i fitoni shpirtrat tuaj''.
- 20 ''Dhe kur do të shikoni Jeruzalemin të rrethuar nga ushtritë, ta dini se shkretimi i saj është afër.
- 21 Atëherë ata që janë në Jude, të ikin në male; dhe ata që janë në qytet të largohen; dhe ata që janë në fushë të mos hyjnë në të.
- 22 Sepse ato janë ditë të hakmarrjes, që të përmbushen të gjitha ato gjëra që janë shkruar.
- 23 Mjerë gratë shtatzëna dhe ato që mëndin në ato ditë, sepse do të ketë mjerim të madh në vend dhe mëri mbi këtë popull.
- 24 Dhe ata do të bien nga tehu i shpatës, do t'i çojnë robër ndër të gjitha kombet, dhe Jeruzalemin do ta shkelin paganët, derisa të plotësohen kohët e paganëve''.
- 25 ''Dhe do të ketë shenja në diell, në hënë dhe në yje, dhe mbi tokë ankth popujsh, në përhumbjen prej gjëmës së detit dhe të valëve të tij;
- 26 njerëzit do të mpaken nga frika dhe nga pritja se çfare do ta pllakosë botën, sepse fuqitë qiellore do të lëkunden.
- 27 Atëherë do të shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi një re, me fuqi dhe lavdi të madhe.
- 28 Dhe kur këto të fillojnë të ndodhin, shikoni lart dhe ngrini kokat tuaja, sepse çlirimi juaj është afër''.
- 29 Pastaj u tha atyre një shëmbëlltyrë: ''Vini re fikun dhe të gjitha pemët.
- 30 Kur ata nisin e mugullojnë, duke i parë, ju vete e kuptoni se vera është afër;
- 31 kështu edhe ju, kur do të shikoni se po ndodhin këto, ta dini se mbretëria e Perëndisë është afër.
- 32 Në të vërtetë unë po ju them se nuk do të kalojë ky brez, derisa të gjitha këto gjëra të kenë ndodhur.
- 33 Qielli dhe toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë''.
- 34 ''Tani kini kujdes që zemrat tuaja të mos rëndohen nga të llupurit, nga të dehurit dhe nga preokupimet e kësaj jete; që ajo ditë të mos ju zërë në befasi.
- 35 Sepse do të vijë si një lak mbi të gjithë ata që banojnë mbi faqen e mbarë dheut.
- 36 Prandaj, rrini zgjuar dhe lutuni kurdoherë që të çmoheni të denjë të shpëtoni nga të gjitha ato që do të ngjasin dhe të dilni para Birit të njeriut''.
- 37 Gjatë ditës ai mësonte në tempull, dhe natën dilte dhe e kalonte jashtë, në malin e Ullinjve.
- 38 Dhe gjithë populli, herët në mëngjes, erdhi tek ai në tempull për ta dëgjuar.
- 📚 Albanian Bible 책 목록
- 개역개정판 (1998)로
- 개역한글판 (1961)로
- 표준새번역 (1993)로
- King James Version로
- KJV 와 나란히
- 🌐 다른 언어·판
Albanian Bible — getbible.net(CrossWire SWORD 모듈)에서 가져옴 · 라이선스: 공개 도메인 (Public Domain) · 출처 ↗