누가복음 2장 Albanian Bible
Albanian Bible · 알바니아어 · 누가복음 (Luke) · 52절
- 1 Tani, në atë ditë u shpall një dekret nga ana e Cezar Augustit, për të kryer regjistrimin e popullsisë të gjithë perandorisë.
- 2 Ky regjistrim qe i pari që u krye kur Kuirini ishte guvernatori i Sirisë.
- 3 Dhe të gjithë shkonin të regjistroheshin, secili në qytetin e vet.
- 4 Tani edhe Jozefi doli nga qyteti i Nazaretit të Galilesë, për të shkuar në Jude, në qytetin e Davidit, që quhet Bethlehem, sepse ai ishte i shtëpisë dhe i familjes së Davidit,
- 5 për t'u regjistruar bashkë me Marinë, gruan e vet, me të cilën ishte martuar dhe që ishte shtatzënë.
- 6 Kështu, ndërsa ishin atje, asaj i erdhi koha të lindë.
- 7 Dhe ajo lindi djalin e saj të parëlindur, e mbështolli me pelena dhe e vendosi në një grazhd, sepse në han nuk kishte vend për ta.
- 8 Tani në po atë krahinë ishin disa barinj që rrinin jashtë, në fusha, dhe natën ruanin kopenë e tyre.
- 9 Dhe ja, një engjëll i Zotit iu paraqit atyre dhe lavdia e Zotit shkëlqeu rreth tyre e ata i zuri një frikë e madhe.
- 10 Por engjëlli u tha atyre: ''Mos druani, sepse unë po ju lajmëroj një gëzim të madh për të gjithë popullin;
- 11 sepse sot në qytetin e Davidit lindi për ju një Shpëtimtar, që është Krishti, Zoti.
- 12 Dhe kjo do t'ju vlejë si shenjë: ju do të gjeni një fëmijë të mbështjellur me pelena, të shtrirë në një grazhd''.
- 13 Dhe menjëherë engjëllit iu bashkua një shumicë e ushtrisë qiellore, që lëvdonte Perëndinë, duke thënë:
- 14 ''Lavdi Perëndisë në vendet më të larta, dhe paqe mbi tokë njerëzve mbi të cilët qëndron mirëdashja e tij!''.
- 15 Dhe ndodhi që, kur engjëjt u larguan prej tyre për t'u kthyer në qiell, barinjtë i thanë njeri tjetrit: ''Le të shkojmë deri në Bethlehem për të parë ç'ka ndodhur dhe ç'na bëri të ditur Zoti''.
- 16 Shkuan, pra, me nxitim dhe gjetën Marinë, Jozefin dhe fëmijën që ndodhej në një grazhd.
- 17 Mbasi e panë, përhapën ato që u ishte thënë për atë fëmijë.
- 18 Dhe të gjithë ata që i dëgjuan, u mrekulluan nga gjërat që u treguan barinjtë.
- 19 Maria i ruante të gjitha këto fjalë, duke i medituar në zemrën e saj.
- 20 Dhe barinjtë u kthyen, duke përlëvduar dhe lavdëruar Perëndinë për të gjitha gjërat që kishin dëgjuar dhe parë, ashtu si u ishte thënë atyre.
- 21 Dhe kur kaluan të tetë ditët, pas të cilave ai duhej rrethprerë, ia vunë emrin Jezus, emër të dhënë nga engjëlli para se ai të ngjizej në bark.
- 22 Kur pastaj ishin plotësuar ditët e pastrimit të saj sipas ligjit të Moisiut, e çuan fëmijën në Jeruzalem për t'ia paraqitur Zotit,
- 23 ashtu siç është shkruar në ligjin e Zotit: ''Çdo mashkull i parëlindur do të jetë thirrur shenjt për Zotin'',
- 24 dhe për të ofruar flijim, siç është thënë në ligjin e Zotit, një çift turtujsh ose dy pëllumbash të rinj.
- 25 Dhe ja, në Jeruzalem ishte një njeri që quhej Simeon; Ky njeri ishte i drejtë dhe i përshpirtshëm dhe priste ngushëllimin e Izraelit; dhe Fryma e Shenjtë ishte mbi të.
- 26 Dhe në mënyrë hyjnore atij i qe zbuluar nga Fryma e Shenjtë se nuk do të vdiste para se të kishte parë Krishtin e Zotit.
- 27 Ai pra, i shtyrë nga Fryma, erdhi në tempull; dhe, si prindërit i prunë fëmijën Jezus për të bërë me të ato që përshkruan ligji,
- 28 ai e mori në krah e bekoi Perëndinë duke thënë:
- 29 ''Tani, o Zot, lejo që shërbëtori yt të vdesë në paqe, sipas fjalës sate,
- 30 sepse sytë e mi e panë shpëtimin tënd
- 31 që ti e përgatite përpara gjithë popujve:
- 32 dritën për të ndriçuar kombet dhe lavdinë e popullit tënd, Izraelit''.
- 33 Dhe Jozefi e nëna e fëmijës mrrekulloheshin për gjërat që thuheshin për të.
- 34 Pastaj Simeoni i bekoi dhe i tha Marisë, nënës së tij: ''Ja, ky është vënë për rënien dhe për ngritjen e shumë vetave në Izrael dhe për të qenë shenjë kundërshtimesh,
- 35 edhe ty vetë një shpatë do të ta tejshpojë shpirtin, që të zbulohen mendimet e shumë zemrave''.
- 36 Aty ishte edhe Ana, një profeteshë, bija e Fanuelit, nga fisit i Aserit, e cila ishte shumë e kaluar në moshë, që kishte jetuar mbas virgjërisë së saj shtatë vjet me burrin.
- 37 Ajo ishte e ve dhe, megjithse ishte tetëdhjetë e katër vjeçe, nuk largohej kurrë nga tempulli duke i shërbyer Perëndisë natë e ditë me agjërime dhe lutje.
- 38 Edhe ajo erdhi në atë moment, lavdëroi Zotin dhe u fliste për këtë fëmijë të gjithë atyre që prisnin çlirimin në Jeruzalem.
- 39 Dhe mbasi i kryen të gjitha ato që i takonin sipas ligjit të Zotit, u kthyen në Galile, në qytetin e tyre, Nazaret.
- 40 Ndërkaq fëmija rritej dhe forcohej në frymë, duke qenë plot dituri; dhe hiri i Perëndisë ishte mbi të.
- 41 Tani prindërit e tij shkonin çdo vit në Jeruzalem për festën e Pashkës.
- 42 Dhe, kur ai i mbushi dymbëdhjetë vjeç, ata u ngjitën në Jeruzalem, sipas zakonit të festës.
- 43 Dhe si u përmbushën ato ditë, kur ata u kthyen, fëmija Jezus ndënji në Jeruzalem; por Jozefi dhe e ëma e tij nuk e dinin.
- 44 Duke menduar se ai ishte në shoqëri, ata bënë një ditë rrugë, pastaj filluan ta kërkojnë midis farefisit dhe të njohurve;
- 45 dhe, duke qenë se nuk e gjetën, u kthyen në Jeruzalem për ta kërkuar.
- 46 Dhe ndodhi që, pas tri ditësh, e gjetën në tempull, të ulur në mes të dijetarëve, duke i dëgjuar dhe duke u bërë atyre pyetje.
- 47 Dhe të gjithë ata që e dëgjonin, habiteshin nga zgjuarësia e tij dhe nga përgjigjet e tij.
- 48 Dhe, kur ata e panë, mbetën të habitur, dhe e ëma i tha: ''Bir, pse na e bëre këtë? Ja, yt atë dhe unë, në ankth, po të kërkonim!''.
- 49 Por ai u tha atyre: ''Përse më kërkonit? A nuk e dinit se më duhet të merrem me punët e Atit tim?''.
- 50 Por ata nuk i kuptuan fjalët që ai u tha atyre.
- 51 Dhe ai zbriti bashkë me ta, u kthye në Nazaret dhe i bindej atyre. E ëma i ruante të gjitha këto fjalë në zemrën e saj.
- 52 Dhe Jezusi rritej në dituri, në shtat dhe në hir përpara Perëndisë dhe njerëzve.
- 📚 Albanian Bible 책 목록
- 개역개정판 (1998)로
- 개역한글판 (1961)로
- 표준새번역 (1993)로
- King James Version로
- KJV 와 나란히
- 🌐 다른 언어·판
Albanian Bible — getbible.net(CrossWire SWORD 모듈)에서 가져옴 · 라이선스: 공개 도메인 (Public Domain) · 출처 ↗