누가복음 16장 Albanian Bible
Albanian Bible · 알바니아어 · 누가복음 (Luke) · 31절
- 1 Tani ai u foli akoma dishepujve të vet: ''Ishte një njeri i pasur që kishte një administrator; këtë e paditën se po ia shkapërderdhte pasurinë e tij.
- 2 Atëherë ai e thirri dhe i tha: "Ç'është kjo që po dëgjoj për ty? Më jep llogari për ato që ke administruar, sepse ti nuk mund të jesh më administratori im".
- 3 Dhe administratori tha me vete: "Ç'do të bëj unë tani, që zotëria im po ma heq administrimin? Të gërmoj, s'e bëj dot, dhe të lyp, më vjen turp.
- 4 E di ç'do të bëj që njerëzit të më pranojnë në shtëpitë e tyre kur të hiqem nga administrimi".
- 5 I thirri atëherë një nga një ata që i detyroheshin zotërisë së tij dhe i tha të parit: "Sa i detyrohesh zotërisë tim?".
- 6 Ai u përgjigj: "Njëqind bato vaj". Atëherë ai i tha: "Merre dëftesën tënde, ulu dhe shkruaj shpejt pesëdhjetë".
- 7 Pastaj i tha një tjetri: "Po ti sa i detyrohesh?". Ai u përgjigj: "Njëqind kora grurë". Atëherë ai i tha: "Merre dëftesën tënde dhe shkruaj tetëdhjetë".
- 8 Zotëria e lavdëroi administratorin e pandershëm, se kishte vepruar me mençuri, sepse bijtë e kësaj bote, në brezin e tyre, janë më të mençur se bijtë e dritës.
- 9 Unë, pra, po ju them: Bëjini miqtë me pasuri të padrejta sepse, kur këto do t'ju mungojnë, t'ju pranojnë në banesat e përjetshme.
- 10 Kush është besnik në të vogla, është besnik edhe në të mëdhatë; dhe kush është i padrejtë në të vogla, është i padrejtë edhe në të mëdhatë.
- 11 Pra, në qoftë se ju nuk keni qenë besnikë në pasuritë e padrejta, kush do t'ju besojë pasuritë e vërteta?
- 12 Dhe, në qoftë se nuk keni qenë besnikë në pasurinë e tjetrit, kush do t'ju japë tuajën?
- 13 Asnjë shërbëtor nuk mund t'u shërbejë dy zotërinjve; sepse ose do ta urrejë njerin e tjetrin do ta dojë, ose do të lidhet me njerin dhe tjetrin do ta përbuzë; ju nuk mund t'i shërbeni Perëndisë dhe mamonit''.
- 14 Dhe farisenjtë, të cilët ishin shumë të dhënë pas parasë, i dëgjonin të gjitha këto dhe e tallnin.
- 15 Dhe ai u tha atyre: ''Ju jeni ata që e justifikoni veten përpara njerëzve, por Perëndia i njeh zemrat tuaja; sepse ajo që vlerësohet shumë ndër njerëzit është gjë e neveritshme para Perëndisë.
- 16 Ligji dhe profetët arrijnë deri në kohën e Gjonit; që atëherë shpallet mbretëria e Perëndisë dhe gjithkush përpiqet të hyjë aty.
- 17 Por është më lehtë që të mbarojnë qielli dhe toka, se sa të bjerë poshtë qoftë edhe një pikë nga ligji.
- 18 Ai që lëshon gruan e vet dhe merr një tjetër, shkel kurorën; edhe ai që martohet me një grua të lëshuar nga i burri, shkel kurorën''.
- 19 Por atje ishte një njeri i pasur, që vishej me të purpurta dhe me rroba të çmueshme prej liri dhe për ditë e kalonte shkëlqyeshëm.
- 20 Atje ishte edhe një lypës, i quajtur Llazar, që rrinte para derës së tij, dhe trupin e kishte plot me plagë të pezmatuara,
- 21 dhe dëshironte të ngopej me thërrimet që binin nga tryeza e pasanikut; madje edhe qentë vinin e ia lëpinin plagët.
- 22 Por ndodhi që lypësi vdiq dhe engjëjt e çuan në gji të Abrahamit; vdiq edhe pasaniku dhe e varrosën.
- 23 Dhe, duke pasur mundime në ferr, i çoi sytë dhe pa nga larg Abrahamin dhe Llazarin në gji të tij.
- 24 Atëherë ai bërtiti dhe tha: "O atë Abraham, ki mëshirë për mua, dhe dërgoje Llazarin të lagë majën e gishtit të vet në ujë që të më freskojë gjuhën, sepse po vuaj tmerrësisht në këtë flakë.
- 25 Por Abrahami thoshte: "O bir, kujto se ti i ke marrë të mirat e tua gjatë jetës sate, kurse Llazari të këqijat; tashti, përkundrazi, ai po përdëllehet dhe ti vuan.
- 26 Dhe, veç të gjithave, midis nesh dhe jush është një humnerë e madhe, kështu që ata që do të donin të kalonin që këtej tek ju nuk munden; po ashtu askush nuk mund të kalojë që andej te ne".
- 27 Por ai i tha: "Atëherë, o atë, të lutem ta dërgosh atë te shtëpia e tim eti,
- 28 sepse unë kam pesë vëllezër e le t'i paralajmërojë rreptësisht që të mos vijnë edhe ata në këtë vend mundimesh".
- 29 Abrahami u përgjigj: "Kanë Moisiun dhe profetët, le t'i dëgjojnë ata".
- 30 Ai tha: "Jo, o atë Abraham, por nëse dikush nga të vdekurit do të shkojë tek ata, do të pendohen".
- 31 Atëherë ai i tha: "Nëse ata nuk e dëgjojnë Moisiun dhe profetët, nuk do të binden edhe në se dikush ringjallet prej të vdekurish"''.
- 📚 Albanian Bible 책 목록
- 개역개정판 (1998)로
- 개역한글판 (1961)로
- 표준새번역 (1993)로
- King James Version로
- KJV 와 나란히
- 🌐 다른 언어·판
Albanian Bible — getbible.net(CrossWire SWORD 모듈)에서 가져옴 · 라이선스: 공개 도메인 (Public Domain) · 출처 ↗