갈라디아서 4장 Albanian Bible
Albanian Bible · 알바니아어 · 갈라디아서 (Galatians) · 31절
- 1 Edhe them se për sa kohë trashëgimtari është i mitur, nuk dallohet fare nga skllavi, megjithëse është zot i të gjithave,
- 2 por ai është nën kujdestarë dhe administratorë deri në kohën e caktuar nga i ati.
- 3 Kështu edhe ne, sa ishim të mitur, ishim të robëruar nën elementet e botës,
- 4 por, kur u mbush koha, Perëndia dërgoi Birin e tij, të lindur prej gruaje, të nënshtruar ligjit,
- 5 që të shpengonte ata që ishin nën ligj, që ne të fitojmë birërinë.
- 6 Dhe, duke qenë se jeni bij, Perëndia dërgoi Frymën e Birit të tij në zemrat tuaja që thërret: ''Abba, Atë!''.
- 7 Prandaj ti nuk je më shërbëtor, por bir; dhe në qoftë se je bir, je edhe trashëgimtar i Perëndisë me anë të Krishtit.
- 8 Por atëherë, duke mos njohur Perëndinë, u shërbyet atyre që prej natyre nuk janë perëndi;
- 9 kurse tani, mbasi njohët Perëndinë, më mirë të them se u njohët prej Perëndisë, vallë si ktheheni përsëri te elementet e dobët dhe të varfër, tek të cilët doni përsëri t'u nënshtroheni?
- 10 Sepse ju i kremtoni me kujdes disa ditë, muaj, stinë dhe vite.
- 11 Kam frikë se mos jam munduar më kot për ju.
- 12 O vëllezër, bëhuni si unë, sepse edhe unë jam si ju; ju lutem, o vëllezër, ju s'më keni bërë asnjë të keqe.
- 13 Dhe ju e dini se në të kaluarën unë ju predikova ungjillin me dobësi të mishit;
- 14 dhe ju nuk më përbuzët aspak dhe s'patët neveri për provën që ishte në mishin tim, por më pranuat si engjëll Perëndie, si Jezu Krishtin vet.
- 15 Cili ishte, pra, gëzimi juaj? Sepse unë dëshmoj për ju se, po të qe e mundur, ju do të nxirrnit edhe sytë tuaj dhe do të m'i jepnit mua.
- 16 A thua u bëra armiku juaj, duke ju thënë të vërtetën?
- 17 Ata tregohen të zellshëm ndaj jush, por jo për qëllime të ndershme; madje ata duan t'ju shkëputin që të jeni të zellshëm ndaj tyre.
- 18 Mirë është të jesh gjithnjë i zellshëm për të mirë, dhe jo vetëm kur ndodhem midis jush.
- 19 Djemtë e mi, që unë i lind përsëri, derisa të formohet Krishti në ju!
- 20 Do të doja tashti të isha midis jush dhe ta ndryshoja tingullin e zërit tim, sepse jam ndërdyshas ndaj jush.
- 21 Po më thoni, ju që doni të jeni nën ligj, a nuk e dëgjoni ligjin?
- 22 Sepse është shkruar se Abrahami pati dy bij: një nga shërbëtorja dhe tjetri nga e lira.
- 23 Dhe ai që lindi nga shërbëtorja lindi sipas mishit, por ai që lindi nga e lira lindi për hir të premtimit.
- 24 Këto gjëra kanë një kuptim alegorik, sepse këto dy gra janë dy besëlidhje: një nga mali Sinai, që ngjiz për skllavëri, dhe është Agari.
- 25 Dhe Agari është mali Sinai në Arabi dhe i përgjigjet Jeruzalemit të kohës së sotme; dhe ajo është skllave me bijtë e saj.
- 26 Ndërsa Jeruzalemi nga lart është i lirë dhe është nëna e ne të gjithëve.
- 27 Sepse është shkruar: ''Gëzohu ti, o shterpë, që nuk lind! Shpërthe dhe klith, ti që nuk i provon dhembjet e lindjes, sepse bijtë e së braktisurës do të jenë më të shumtë se të asaj që e kishte burrin''.
- 28 Kurse ne, o vëllezër, jemi bij të premtimit, sikundër ishte Isaku.
- 29 Po, sikurse atëherë ai që lindi sipas mishit përndiqte atë që kishte lindur sipas Frymës, kështu është edhe tani.
- 30 Po çfarë thotë shkrimi? ''Dëboje skllaven dhe djalin e saj, sepse i biri i skllaves nuk mund të jetë trashëgimtar bashkë me djalin e së lirës''.
- 31 Kështu, pra, vëllezër, ne nuk jemi bij të skllaves, por të së lirës.
- 📚 Albanian Bible 책 목록
- 개역개정판 (1998)로
- 개역한글판 (1961)로
- 표준새번역 (1993)로
- King James Version로
- KJV 와 나란히
- 🌐 다른 언어·판
Albanian Bible — getbible.net(CrossWire SWORD 모듈)에서 가져옴 · 라이선스: 공개 도메인 (Public Domain) · 출처 ↗